mbrëmjen e kaluar ajo qau. iu dok sikur gjithçka më nuk kishte kuptim, dhe filloi të mendonte se cili ishte gabimi i saj, gabimi që e bënte të qante por të cilin nuk e mbante mend. ajo frikësohej, frikësohej se ndoshta përderisa nuk e mban mend, gabimi i saj ishte që ekzistonte, ishte momenti i lindjes së saj. ajo ishte për plot persona përplot kuptim, ndërsa tek vetja i mungonte kuptim, e i mungonte gjithçka.
ishte ditë e diel, ditë pushimi për të gjithë, por jo edhe për zbrazëtirat që e mundonin atë, dhe në këtë mënyrë ajo vendosi të flas me dikë. vendosi të flas me një person shumë të afërt të saj, një person që çdokujt do t’i shkonte mendja, por prapë do të frikësohej që mendimin e tyre ta vënin në përdorim. ndoshta, sepse njerëzit janë të prirur të mendojnë që gjithnjë e drejta del vetëm nga mendja e tyre.
e ëma, i tha të bijës: “bija ime, edhe unë përplot këto vite, i mbusha me prezencën tënde, e me prezencën e të tërë familjes, por prapë se prapë ndjej zbrazëtirat e vetes sime”, duke vazhduar, “zbrazëtirat të cilat më bëjnë të jem ky person të cilit ti i beson, të cilin ti e don, ky person që për ty ka kaq rëndësi”.
ajo ishte e ndrojtur, strukej në dhomën e saj, ishte e gatshme të shkruante, të vizatonte e të bënte gjithçka, me të vetmin arsyetim që t’i ikte realitetit, realitetit të hidhur që nuk e lejonte as frymë të merrte lirshëm. ajo, me aq pak moshë që kishte, e aq shumë njohje të realitetit, ishte e gatshme të mendonte fundin, por e shihte që fundi ishte epitaf i një jete të gjatë, e gjente arsye për të jetuar në mungesë të jetës. ishte inteligjente, gjente aspekte të inteligjencës në mungesat që i ndjente. ishte e bukur, gjente bukuri në veten e saj, duke menduar aspektet e konstrukteve shoqërore të bukurisë, që ishin aq të neveritshme.
për çdo moment që jetojmë, duket sikurse jemi të detyruar të japim llogari, të japim llogari ndaj vetes, e të arsyetojmë ndaj vetës sonë, duke u munduar të flasim me vetën tonë, duke u munduar të mos jemi kjo vetja jonë. për çdo moment që jetojmë, dëshirojmë të mos jetojmë, në mungesë gjejmë gjithçka, në dashuri gjejmë vdekje, në jetë gjejmë urrejtje.
ai ishte i vjetër, qante për vitet që kishte kaluar duke konsideruar që nuk kishte bërë asgjë, e tani i kujtohej sa jetë të mirë që kishte pasur, por problemi është që nuk kishte kujt t’i tregonte për dashurinë e madhe që mbante brenda vetes.
mbante, mbante brenda vetes dashuri, mbante brenda vetes jetë, por në gjumë ishte krejtësisht i vdekur e i zbrazur në ndjenja. ai, si ajo që nuk ishte, nuk ishte pranë tij, e donin njëri tjetrin, duke ndjerë mungesën e njëri-tjetrit. ishin të veçantë, si asgjë tjetër, e si çdo gjë tjetër, duke qenë të veçantë ndaj të tëra konstrukteve personale, e shoqërore së bashku.
ajo, tani më e vjetër, dëshironte të ishte e re prapë, të kthehej mbrapa në kohë, vetëm e vetëm që gabimet e saj t’i përjetonte prapë. nuk ishte e penduar, as për gabimin e të jetuarit.
01 prill 2017