qajmë. qajmë përbrenda vetëve tona për ekzistencën e këtyre qenieve që i mbajmë në lëkurat tona dhe për asnjë moment nuk ndjehemi mirë brenda tyre. qajmë për idenë që ne ekzistojmë e ndoshta ia kemi zënë vendin dikujt shumë më të mirë në radhë për të ardhur në jetë e jemi fundërrinat që mban kjo tokë. qajmë ngase nuk mundemi të durojmë atë çfarë shohim në pasqyrë, reflektimin e personalitetit tonë që del si aureolë e skaduar, jemi qenie që do të duheshim shumë moti të vriteshim. dinozaurët e kanë merituar më shumë të jenë duke ekzistuar ende e ne do të duhej të ishim thjesht fosile që të pranohej evolucioni por jo duke parë evolucionin tek njerëzit por me ta të ketë përfunduar moti e të jenë thjesht harresë e këtij planeti e kësaj galaktike që mban universi jonë i madh.

bërtasim. bërtasim ngase kemi nevojë të nxjerrim çdo gjë nga vetja që e kemi përbrenda. bërtasim ngase kemi nevojë të tregojmë sa shumë e urrejmë veten tonë. bërtasim ngase duhet të pranojmë që ne nuk jemi të duhurit. bërtasim për të pranuar mëkatet tona që nuk kanë të shpaguar e për të treguar që kurrë nuk u mbushëm mend. bërtasim për të mos u ndalur së bërtituri ngase çdo herë do bëjmë të njëjtat gabime e rrota e historisë gjithnjë mbetet e njëjta, gjërat veçse kthehen edhe në jetët tona.

vrasim. vrasim për të arritur më në fund të pretendojmë që ndoshta kemi paksa vetëdije ekzistence brenda mendjeve tona. por e keqja është që për çdo moment ne vrasim nga pak vetët tona të cilat nuk arrijmë asnjëherë t’i bëjmë meritore brenda lëkurave tona.

të ekzistosh është më shumë sesa vetëm të frymosh. të ekzistosh është të arrish të jesh pjesë e zinxhirit shoqëror e të jesh pjesë produktive e këtij zinxhiri që prodhon diçka për të mbajtur gjallë këtë zinxhir e jo vetëm konsumues e parazit i këtij planeti. të ekzistosh është të arrish individin që mban përbrenda ta bësh pjesë dalluese të kolektivit e të ndërtosh esencën kolektive me prezencën e këtij individualiteti e jo ti të ndërtohesh nga ajo çfarë thonë të tjerët. të ekzistosh është të arrish të duash, por të duash për veten tënde. të duash qenien tënde, e të duash atë që qenie jonë dashuron dhe pretendon për ta futur brenda rrethit të ngushtë të mendjes e cila identifikon nevojat mbi qeniet e tjera. të ekzistosh është të jesh, të jesh është të ekzistosh, më pyesni ndonjë ditë tjetër kur nuk jam i dehur se cila është e vërteta e ku qëndron dallimi.

një njeri i vjetër qëndronte pranë një varri të atij personit që ia kishte mbushur për një kohë të caktuar jetën me arsye për të ekzistuar dhe qante pse ai nuk ishte aty përbrenda, por të ishte përbrenda me të e jo vetëm të ndërronte vendet. i gjori, edhe ai frikësohej ende të ekzistonte së bashku me të nën të njëjtin ajër që marrin nauseat sikurse ne. ai kujtonte jetën kur kishte vrapuar aq shumë e në fund të vrapimit edhe pse nuk arriti të merrte ndonjë gjë, ndjeu ekzistencën e tij dhe të gjithçka tjetër përreth tij e kuptoi që të jetuarit është dhuratë që na është dhënë e duhet të shfrytëzohet deri në fund. e kështu lulet i la dhe u nis për në një vend ku do të pinte ca rakia e do të kujtonte sa bukur është të jesh i lumtur, e kështu i buzëqeshur i lumi ai edhe ai vdes.

e mandej pasi shkruam të gjitha këto gjëra sesa shumë urrejmë vetët tona, në një tavolinë plot njerëz ngritëm dolli për vetët tona ngase ishin të vetmet gjëra që na kishin mbet dhe duhej t’i mbanim gjallë. e prapë u kthyem në shtrat për të fjetur i buzëqeshur që jetuam edhe një ditë tjetër. prapë kemi qarë për gjithçka që kemi bërë, prapë bërtitëm për të hequr mllefin që mbajmë brenda vetes me shpresën që një ditë do të kemi arsye më të mira për të qarë e për të bërtitur, ndoshta nuk do të bërtasim aq shumë vetëm.

prapë duam gjakun, ngase kur ndjejmë atë ndjejmë oksigjenin që qarkullon në ne e ndjejmë qenien tonë duke frymuar e duke shpresuar që edhe ekzistojmë. e gjumë të ëmbël i tha gjyshja mbesës së saj kur i tregoi që e gjitha kjo ishte përrallë. përrallë e sajuar por që as nuk i afrohej prapë asaj sesa i keq është realiteti. me lot në sy ra në gjumë vogëlushja që nuk dinte as çfarë të thoshte.

09 maj 2016

pjesa e parë · periudha e dytë