edhe unë dikur isha fëmijë. qeshja, doja aq shumë, ëndërroja e luaja, e thjesht jetoja aq bukur e aq mirë. ishte histori e bukur sa isha fëmijë, e mrekullueshme që tani ta kujtoj me mallëngjim, e plot herë me lot në sy.

edhe unë dikur isha fëmijë. më kujtohet çdo moment i gëzimit që kam pasur, momente të vërteta të gëzimit që ishin. çdo herë kisha fytyrën e buzëqeshur. të buzëqeshur, për së vërteti e jo duke mbajtur brenda vetes gjithçka të keqe të kësaj bote. e në çdo moment të këtyre buzëqeshjeve nuk isha i vetëm. por tani jam i vetëm. eh jeta, tani buzëqeshi duke mbajtur në vete këtë botë. botën e keqe.

edhe unë dikur isha fëmijë. çdo lojë që ekzistonte e luaja, e gjithnjë isha i gatshëm të mësoja një lojë të re që ta luaja në shtëpinë time, në lagjen time, në qytetin tim, me veten time e në botën time. eh ç’ishte bota ime, e mbushur përplot ngjyra e përplot harmoni. e çdo lojë e kisha pasion, çdo lojë e kisha jetë timen, e çdo moment të atillë e kam ëndërr e vizion timin tani. vizion për tu kthyer mbrapa në kohë, qifsha vizionin që paskam.

edhe unë dikur isha fëmijë. ashtu si gjithë të tjerët. por jo tërësisht si të tjerët, pasi bota ime njihte vetëm dashuri. prapë, shumica e botëve të fëmijëve njeh dashuri. por bota ime kishte dashuri të pastër, të atyre që ende ma mbushin jetën me dashuri. e tash fillova të flas për jetën time të tanishme. më fal, po i them vetes sime.

edhe unë dikur isha fëmijë. fëmijë i vogël. fëmijë pa sherr. fëmijë, fëmijë më. e në ato kohëra, e gjithë bota ishte e imja. për të vërtetë, mendoja që gjithçka sillet rreth meje, njihja aq shumë dashuri e njihja aq shumë jetë. shihja jetë ngado, e askund nuk kam vërejtur mungesë të jetës. shihja vite, vite jete para meje, e para gjithçka që ishte e imja. fëmijë pa sherr kam qenë, e tërë ato sherre që kam bërë më tregojnë sa i pasherrë kam qenë. nuk ka qenë qëllimi i sherreve. e tani, unë sillem rreth gjërave, e kundërta e idesë që gjithçka sillet rreth meje, unë sillem rreth tyre. u rrita, dreqi e marrtë.

edhe unë dikur isha fëmijë. nuk kishte rëndësi cila ditë ishte, nuk kishte rëndësi çfarë date është, e nuk kishte rëndësi të mendoja për të nesërmen kur e tanishmja asnjëherë nuk ndalej. si të ndalej kur kisha momente aq të bukura e ato vetëm vazhdonin. përplot të qeshura e buzëqeshje. e përplot, përplot gjithçka, gjithçka të mirë.

edhe unë dikur isha fëmijë. dëshiroja të isha polic kur të rritem, të mbroja të tjerët. ndoshta për atë arsye luaja me armë aq shumë në shtëpinë time. merrja mjetin e lojës së ping-pongut dhe e shndërroja në objekt ndalimi të veturave të policisë. ndalja përnjëmend veturat. sa bukur po të dija të ndalja jetën time tani. e vërtetë, fillova të flas palidhje.

edhe unë dikur isha fëmijë. aq energjik, ngado shkoja e nuk lodhesha asnjëherë. përplot energji për të jetuar. për të luajtur, për të mësuar, për të dashur, për të buzëqeshur. përplot energji për gjithçka që tani do e ktheja prapë. vrapoja pa u ndalur gjithandej. ah fëmijëria ime energjike, përplot ngjyra.

edhe unë dikur isha fëmijë. nuk dija çfarë është të mbaronin gjërat e mira. e gjërat e mira ishin imateriale, kraharori i babait tim që dëshironte që ne të flinim gjatë ditës që të jemi më të shëndetshëm, e të flinim së bashku babai me të bijtë e tij. e gjërat e mira ishin momentet që kalonim pa u ndalur së bashku. gjërat e mira ishte ai. e gjë e mirë ishte nëna ime, na veshte aq shumë e na bënte fotografi që tani unë t’i mbaj mend i vetmuar. e nëna jetonte për ne, e vazhdon të jetoj për ne, pa qenë ne. është e çuditshme kjo dashuria e prindërve. eh, edhe unë isha dikur fëmijë.

ende jam fëmijë i tyre.

edhe unë dikur isha fëmijë. konsideroj që gjithçka e imja është e krijuar nga ajo kohë. nga koha kur dëshiroja të mos ndalesha së jetuari. eh budallai që isha, e doja përjetësinë. gjithçka e imja është e asaj kohe, po edhe e kësaj kohe. e kësaj kohe, kohë që nuk është e imja. dreqi e marrtë, e askujt nuk është. ose kështu dua të besoj. është aq bukur nganjëherë të mashtrosh veten.

edhe unë dikur isha fëmijë. e ende jam fëmijë more. nëse fëmijë jam duke pasur dashuri brenda vetes, ende kam. nëse fëmijë jam duke pasur vullnet për jetë, ende jam. nëse fëmijë duke buzëqeshur, ende jam. nuk dua të ndalem së të jetuarit si një fëmijë, dua të jem fëmijë së bashku me fëmijët e mi një ditë.

edhe unë dikur isha fëmijë. ende nuk jam i rritur. gënjeva më herët kur thashë u rrita dreqi e marrtë. ose nuk e di, po vazhdoj së mashtruari veten ende. përderisa po buzëqeshi, pranoj të mashtrohem.

edhe unë jam njeri. njeri. për çdo ditë pyes veten çfarë është të jesh njeri. ndoshta një ditë do e marrë vesh. atë ditë kur nuk do të jem, do e di si ka qenë të jesh, duke mos qenë. mungesa e çdo gjëje i jep kuptim asaj që është. e mua më mungojnë aq shumë gjëra, aq shumë njerëz, por më së shumti vetja ime. e tani, le të fillojmë të kërkoj veten time. duke qenë fëmijë, i rritur e plak. duke qenë gjallë, dhe i vdekur. duke qenë njeri, njeri.

16 janar 2018

pjesa e parë · periudha e katërt