edhe sot ka pirë shumë, nuk po mundet të ec mirë dhe po rrëzohet shumë shpesh. kjo është pamja e tij e zakonshme, rrugëve të qytetit tonë të çuditshëm, çuditshmërinë e të cilit e plotëson aq bukur prezenca e tij. ai është ndër ata që ëndrrat i kishte të mëdha, por jeta si e tillë ia mbylli të gjitha rrugët për t’i arritur ato. ato bëheshin reale, në veçanti kur ishte duke pirë. çdoherë kur ai pinte, që ishte gati çdoherë që ishte i zgjuar, ishin momente të tij përmes të cilave ai dëshironte të ndjente njerëzim, dëshironte të ndjente dashuri.
alkooli nuk është koncept që duhet të urrehet, përveç kur jemi të pirë shumë, atëherë çdokujt ja shpif, deri sa të bëhet prapë gati për t’ia nisur nga fillimi. e kështu i çuditshëm, me këtë mendim në kohë, në njërën nga kafiteritë poashtu të çuditshme të lagjes së tij, së bashku me plot shokë të tjerë ai piu aq shumë sa filloi të qante dhe dëshironte të tregonte historinë e gruas së jetës së tij. zemrën e kësaj gruaje, ky plak nuk arriti asnjëherë ta fitonte për shkak të dashurisë së madhe që kishte për të. e kjo e bënte që të ishte edhe më i mërzitur.
dashuria e tij për të ishte aq e madhe sa asnjëherë nuk arriti ta tregoj ashtu siç vërtet duhej, e duke pirë i tregonte vetes për çdo moment sesa i poshtër ndaj vetes që është.
e këtë ditë, që ky vendosi të pinte me të, e kishte ndër ditët më të lodhshme. bëheshin katër ditë që ishte i vetëm në shtëpi, gruaja i vdiq para katër ditësh, ndërsa fëmijët jetojnë krejt të vetëm. kjo ishte dita e fundit që njerëzit vinin zyrtarisht për ta ngushëlluar, ishin katër ditë që ata mundoheshin t’i tregonin që nuk është vetëm, dhe ja tani në mbrëmje ishte i vetëm duke pirë. ai ishte në moshë të shtyrë, dallimi në moshë mes këtij çifti kishte qenë rreth një dekade dhe kjo e bënte edhe më të dhimbshme krejt ngjarjen. dëshironte të ndërrohej me të, pa të e shihte veten si asgjë. ishte interesante të dëgjoje për dashurinë e atyre dyve. nganjëherë kur flisnin sesi janë lidhur, thurje mendime dashurie për një person aq të zemrës.
ta mendosh, kishte dashuri të dyfishtë, ky pijanec i marrë.
ky plak, shumicën e gjërave e lidhte me gruan me të cilën kishte kaluar jetën, me të cilën bëri katër fëmijë, vajzës së dytë ja la emrin e asaj që nuk e pati kurrë dhe e donte ende aq shumë. nuk ishte aq i pafytyrë, sa të mos donte edhe gruan me të cilën ishte i martuar. në këto momente, kur pinte edhe kur kujtonte dashurinë dhe mirësinë që i kishte falur gruaja me të cilën ishte martuar, ai tregonte që prej një kohe të gjatë asgjë nuk ishte në dorën e tij, por jetonte prej saj. ai nuk arrinte asnjëherë të luftonte për gjërat e veta, të cilat i donte, ngase nuk e dinte për një kohë të gjatë as çfarë dëshironte. tani, kërkoi prapë një birrë dhe një raki.
në ditët e fundit të jetës së gruas së tij, kur ishte e shtrirë dhe shihej që kishte edhe pak ditë, ai piu shumë në një nga kafet e vjetra të qytetit ku ai jeton. aty, piu shumë raki dhe filloi të mendonte se çfarë po ndodhte me jetën, me jetën e tij, e me jetën e çdonjërit.
çdoherë kur pinte e falënderonte këtë grua që i dha aq lumturi, e gjithmonë e mallkonte atë grua që i morri aq shumë lumturi që do të mund të kishte në jetë ky i gjori person. e me jetën e tij, thoshte që nuk dinte as çfarë kishte bërë. duke pirë një gllënjkë raki filloi të tregonte për tërë ato eksperienca të punës që kishte pasur, e tregonte që asnjëra nga ato edhe pse ia kanë definuar aq shumë jetën, nuk i kanë falur jetë. gjithnjë dëshironte të kishte jetë, e tani po tregon sesi nuk ka pasur asnjëherë jetë.
ishte e çuditshme të dëgjoje kur fliste për jetët e të tjerëve përreth tij, e kur tregonte që aq shumë i donte e aq shumë të mirë do e kishte pasur jetën në rast se as ata nuk do të ishin. ndoshta do e kishte pasur edhe gruan që e ka dashur aq shumë. por prapë, kur iu kthye birrës filloi të tregonte që mandej nuk do të kishte qenë jetë që tani të pi për të. e pyeti shokun e tij: “e mban mend çdo moment kur mendoja si ta kisha atë e këndej me plot vullnet e bëra gruan e jetës sime që më fali katër fëmijët më të mrekullueshëm në jetë”, e vazhdoi prapë duke thënë, “e është edhe më bukur kur e di që vajzës sime të dytë nuk do ia lija emrin e asaj po të isha lidhur me të”, dhe vazhdoi të pinte i lumtur për jetën që e kishte pasur.
jeta nuk është koncept i definuar, është diçka që ne e krijojmë, asgjë nuk na falet përveç dhuratës së të jetuarit, e ne ekzistojmë që në fund të qeshim për çdo moment të të jetuarit. në prag të vdekjes nuk ka për të ekzistuar turpi pasi që do të jemi asgjë. e ky, prapë po vazhdonte të pinte ngase edhe pa ardhur pragu i vdekjes nuk kishte fare turp. nuk kishte turp që kishte jetuar, kishte pirë e kishte dashuruar dyfish e trefish e katërfish e ku e dimë sa shumë pasi që çdo vajze i kishte falur dashuri, po ashtu çdo djali pasi edhe tani po falte dashuri njerëzore. ishte njeri, më njeriu, përplot dashuri.
e tani, vazhdoi të qante. kujtonte prindërit e tij, e tani po kujtonte që do të kthehej tek ta, por po e sheh që do të jetë asgjë e nuk do të kthehet tek askush. për çdo moment, ai tregon, që pin e kujton në lumturi familjen e tij kur ka qenë i ri e sesi është rritur përplot dashuri, e për atë arsye po falte ende dashuri. këtë herë fali dashuri duke porositur alkool për të gjithë. për të ishte mjaft, tha do të eci të qaj për gruan e jetës sime që ka vdekur, e do qeshi për dashurinë e jetës sime që nuk e kam pasur. tregonte sesa fatlum që është.
në birra e raki, përplot miq aty, duke qeshur edhe ky i gjorë vdiq, pikërisht kur tha u bë mjaft me alkool për sonte. për të, u bë mjaft alkool për jetën e tij. qeshi, për nga dhimbja që mbante përbrenda, e për nga lumturia që kishte përjetuar këtë jetë. qeshi, që do të jetë së bashku me të gjithë ata që vdiqën më herët, së bashku do të jenë askund. të mbajtur mend ndër të gjallë, ndër të gjallë të mallkuar që ende nuk kanë vdekur. ndër të gjallë, që një ditë do të vdesin dhe do të jenë cikël. ky e përfundoi ciklin e birrave dhe rakisë për të. ky e përfundoi ciklin e të dashurit të tjerët, e po fillon cikli kur do ta duan tani këtë. atëherë kur nuk ka më rëndësi.
kur ky plak ka qenë i ri, në moshën njëzet vjeçare dëshiroi të vdiste prapë, nuk e mbante mend qe sa herë e ka menduar këtë veprim pasi që nuk dinte çfarë do të bënte. thoshte që për herë të parë as vetë nuk e mban mend kur ka dashur të vdes, ndoshta për arsye që vendosi të jetonte. shumë vite më vonë, kur në fakt i lindi vajza e dytë mendoi që vdiq përnjëmend, jo fizikisht. me këtë vdekje, ai pohoi edhe rilindjen e tij, ishte i treti fëmijë dhe tani ishte aq i lumtur që po rriten arsyet për të jetuar. arsye që ia vlen edhe të vdesësh për to. të jetuarit e të vdekurit, për të, nuk ishte edhe aq e kundërt.
tani, në varrimin e tij, shoku i tij më i afërt ishte i dehur, kështu mendoi që po e nderonte më së shumti shokun me të cilin kaloi aq shumë vite jetë, ndau aq shumë momente gëzimi e hidhërimi, e tani prapë po ndante një moment dehjeje me të. i vetëm, ju tregonte të tjerëve, nuk do të ishte asnjëherë. në alkool e gjente atë.
kështu, shoku i tij vendosi të pinte, që edhe ky një ditë të mbaronte ciklin e tij. edhe pse pyeste të gjithë pse cikli nuk largohet, e të gjithë të vdesim ende pa lindur. eh, dehja çfarë pyetje të bën të bësh, përgjigjet e së cilave asnjëherë nuk do të ndalen së krijuari pyetje të reja.
e kështu, u porositën edhe shumë birra e rakia, e çka do që kishte qëlluar të ishte në frigoriferin e këtij vendi kaq të mrekullueshëm, që drita hynte ngado aty.
e edhe sot, dikush po pi shumë, për të vdekur. e dikush, për të jetuar. e dikush, nuk e di përse.
12 janar 2018