braktisje. është fjalë kaq e rëndësishme, që assesi nuk duhet braktisur. braktisemi, e braktisim. braktisim fjalë, premtime, mendime, ndjenja, e braktisim edhe veten. braktisemi në fjalë, premtime, mendime, ndjenja, e braktisemi edhe në veten tonë. e njëjtë, por jo edhe aq e njëjtë sa duket.

braktisje. është ndjenja që më së paku na braktis gjatë përditshmërisë sonë, gjatë jetës sonë. është ndjenja që më shumti na qëndron pranë dhe nuk na lejon të jemi të vetëm, të braktisur. fundja, jemi të braktisur në një botë tërësisht të braktisur nga çdo gjë e mirë në të cilën thirret vetë bota. jemi viktima të braktisjes. së braktisjes së spermës. së braktisjes së mendimit. së braktisjes së dashurisë. së braktisjes së gjithçka përreth nesh.

sa të dashur që jemi kundrejt vetes, e aq pak e vendosim veten tonë në rend të parë. në një rend që as vetë nuk e dimë sa rende i ka, e në cilin rend jemi ne, e sesi duket rendi i parë, prej të cilit rend numërohen të gjitha rendet pasuese. e kështu, ne nuk e dimë kush jemi vetë ne, e nuk e dimë se çfarë po duam. nuk e dimë ku po qëndrojmë. dreqi ta marrtë, po i bie që nuk dimë asgjë.

ai qeshi. i braktisur, qeshi. pasi që çdo braktisje që ai e ndjente ishte braktisje që vinte pasi që ai braktisi veten shumë kohë më parë. ai nuk ndjente më braktisje, ishte i braktisur pa hapësirë për të ndjerë prapë. e tha, çdo braktisje tani është e thjeshtë, e rëndë është të kujtoj që e braktisa veten time atëkohë atje ku nuk mundem të kthehem më mbrapa. e të rikrijosh veten, eh sa e rëndë që qenka.

ai tregonte për shumë e shumë vite të tij si i vetmuar. në atë vetmi thoshte që gjente veten e tij, ose thjesht kujtonte veten e tij që e kishte braktisur. në atë vetmi donte veten e tij, në atë vetmi jetonte për veten e tij, që një ditë vetja e tij të ishte prapë ky. të bashkohej me unin e tij. të bashkohej me diçka të tij. të bashkohej me të, ai me atë, atë që bënte këtë të jetë ai. e tërë ato vite, mbeteshin të mbushura me kujtime për tërë ato vitet e mëparshme që i kujtonte gjatë gjithë kohës.

vetmia. kjo gjendje natyrale e njeriut. gjendje në të cilën jemi çdoherë kur tentojmë realitetin, kur tentojmë veten tonë, kur tentojmë gjithçka tonën, dhe mbesim me asgjë. ngase asgjë nuk ka kuptim. asgjë, përveç vetes tonë të pakuptueshme. edhe të jesh i pakuptimtë, ka kuptimin e vet. zgjedhja e të mos zgjedhurit të kesh kuptim është zgjedhje në vete, e përmes saj ne i japim kuptim veprimit e mendimit tonë, që kanë për të qenë prapë se prapë të pakuptimtë.

ai vazhdoi të fliste për vetminë e tij. aty ku gjente aq shumë njerëz të mirë, gjente aq shumë ndjenja të mira, gjente aq shumë mendime të mira, gjente aq shumë kuptime. e në mesin e atyre njerëzve, ndjenjave, mendimeve, kuptimit prapë ishte i vetëm. prapë ishte pa njerëz, pa ndjenja, pa mendime, pakuptim, e ishte asgjë. nganjëherë fillonte jeta e tij t’i dukej si një aventurë e tij për t’i treguar vetës së tij që çdo gjë ishte e pakuptimtë. e kështu, pranoi që po krijonte një pus për të, një pus për jetën e tij, një pus aq të gjatë, pus i vetmuar që nuk kishte asgjë në të, e ishte aq i pakuptimtë. aq shumë, i pakuptimtë.

në kujtimet e tij, krijonte ndjenja të mira të dashurisë. dashurisë për njerëzit. dashurisë për krijesa që nuk meritojnë dashuri. e në fund të ditës, e pranonte edhe ky të vërtetën e hidhur. edhe ky ishte njeri. edhe ky nuk meritonte dashuri. e aq shumë netë i kalonte i pagjumë duke menduar se kush meritonte dashuri.

e kështu braktiste veten e tij për aq shumë netë, që të flinte e të ishte i pakuptimtë. në braktisje, ai ishte i qetë. në braktisje arrinte të jetonte. në braktisje, ai gjente atë, për një kohë të shkurtë por ta kishte afër. e në braktisjen e jetës së tij, ai gjeti gjithçka. e kuptoi që në botë nuk ka asgjë, gjithçka është në mungesë. e në atë mungesë, duke munguar, u krijua ai. e ai, nuk e di çfarë ndodhi me të një ditë.

qajmë. qajmë ngase po detyrohemi të jetojmë. qajmë ngase asgjë që e dëshirojmë nuk ka për të mbetur e jona. qajmë ngase e vetmja gjë që dëshirojmë, të jetojmë, nuk është e jona. nuk ka qenë, e nuk ka për të qenë. qajmë, ngase nuk dimë asgjë tjetër të bëjmë. qajmë, ngase kur qajmë meritojmë dashuri, kemi ndjenja, e jemi njerëz, njerëz të mirë. qajmë, e kështu një ditë do mësohemi të qeshim. do të qeshim, duke mos dashur të qajmë. do të qeshim, pasi nuk ka për të mbetur asgjë për të qarë mandej.

gjithçka është asgjë. realiteti është joreal, ekzistenca është joekzistenca. një hiç, sa andej e sa këndej, një hiç për të na përmbushur aq mirë. aq mirë, sa të vjellim nga përmbushja e vetes sonë. vetes sonë, që aq shumë e dëshirojmë të vdekur.

24 janar 2018

pjesa e parë · periudha e katërt