qajmë. qajmë ngase është e vetmja gjendje e vërtetë e jona. qajmë për gjithçka që na mungon, e qajmë për asgjë që e kemi. qajmë ngase kështu e ndjejmë jetën duke e përjetuar dhimbjen. qajmë me dhimbjen tonë. qajmë me gëzimin tonë. qajmë ngase jemi mësuar të shikojmë në qiell e të kuptojmë që asgjë nuk është e jona, e as ne nuk jemi ne. qajmë ngase ne na kanë braktisur aq shumë kohë mbrapa, e tani jemi asgjë. qajmë ngase gëzohemi që jemi asgjë. qajmë ngase nuk e kuptojmë me të vërtetë çfarë jemi. qajmë, vazhdojmë të qajmë.
besojmë. besojmë në gjërat përreth nesh duke i pronësuar e duke i shkatërruar. besojmë në ndjenjë të mirë që jemi tërësisht jo-meritor për të. besojmë në ndjenjë të panjohur e duke e harruar ndjenjën e njohur. besojmë se jemi të besueshëm, e kështu i gënjejmë të gjithë përreth nesh, duke filluar nga vetja. e besojmë që dashuria është e vërtetë për ne, e harrojmë që jemi qenie që nuk e meritojmë atë. besojmë që jemi të bukur, duke e dashur aq shumë trupin fizik, e vdesim duke harruar të buzëqeshim për ndjenjën që do të duhej të i besonim me të vërtetë. besojmë që një ditë nuk do të besojmë në këto gjëra. e prapë nuk jemi të besueshëm për veten tonë.
në errësirë, në atë moshë të shtyrë qëndronte i vetëm e kujtonte tërë ato vite që i kishte kapërcyer me tërë ata njerëz përreth tij. e morri të parën birrë, edhe të dytën, edhe të tretën e kështu vazhdoi deri sa harroi sesi numërohej e filloi të kujtonte sesi dashurohet, sesi duhet një njeri, e sesi duhet vetja. filloi të buzëqeshte me ato memoriet e bukura që i kishte kur nuk qante e besonte me të vërtetë. ishin aq memorie të bukura, të tij, vetëm të tij, i mbante aq shumë afër vetes, sa frikësohej mos ia vidhte dikush memoriet që i përkasin vetëm tij. e kujtoi sesa shumë dëshironte një herë e një kohë në jetën e tij të gjatë, jo edhe aq të gjatë, të mos i mbante i vetëm këto memorie. e i vetëm vazhdoi të pinte e të kujtonte, e qeshi aq shumë atë natë e ra në gjumë që nesër të zgjohej për të qarë prapë.
çdo gjendje e një individ është e mërzitshme. është gjendje e ngurtë e padashur me idenë për të bërë diçka të mirë. e çdo gjendje e individit është gjendje për të mos qenë, e gjendje për të mos dashur e gjendje për të mos u folur. e individi, është individ që nuk do të duhej të ishte.
vdesim. vdesim ngase është momenti më i lumtur i jetës sonë. është momenti kur nuk ndjejmë asgjë, e momenti i vetëm kur lumturia është e vërtetë. vdesim, për të mos u ndal së qenuri asgjë, ashtu siç ishte edhe para se të vdesim. vdesim për të jetuar ende ashtu siç kemi jetuar deri para se të vdesim, në mënyrë të pakuptimtë, e aspak meritor për dhuratën e dhënë të jetës. vdesim, për të i gëzuar të gjallët. vdesim, për të mos vdekur më kurrë.
vdesim ngase dëshirojmë të jemi gjithçka, e në atë moment e kuptojmë që gjatë tërë kohës kemi qenë asgjë e çdokujt përreth nesh. vdesim ngase është dëshira më e madhe e individit për të i dashur të tjerët, e vdesim ngase dashuria për të tjerët nuk është ndjerë asnjëherë më herët. vdesim, si zgjidhje e fundit dhe e vërtetë e problemit të ekzistencës së individit, individit që do të duhej të mos kishte lindur asnjëherë. do të duhej të vdesim ende pa lindur.
e kështu ajo qëndronte e vetme në shtëpi. kujtonte jetën që aspak nuk kishte qenë e saj, e kujtonte shoqërinë që aspak nuk kishte qenë e shoqërueshme me të. çdo gjë përreth saj nënkuptonte çmenduri, pa-kuptueshmëri të fenomeneve e ndjenjave që ajo konsideronte që i njihte. e filloi të kujtonte sesi vite më herët e gënjente veten që nuk do të ishte kështu, e gënjente veten që do të ishte e lumtur, e gënjente veten që nuk do të e gënjente veten asnjëherë më. e vazhdoi të gënjente për çdo ditë. e ajo nuk kishte faj që ekzistonte, por e ndjeke fajin për të mos ekzistuar. ajo nuk kishte faj që ekzistonte, por nuk dëshironte të vdiste prapë se prapë. konsideronte që vitet që i kishte kaluar, duhej të ja tregonte edhe dikujt tjetër, që asnjëherë të mos vdiste përnjëmend. e në atë moment, vendosi të bënte diçka që e kuptoi asnjëherë nuk e kishte bërë më herët. vazhdoi të jetonte.
gënjejmë. gënjejmë kamarierin se çfarë kafe e duam. gënjejmë librashitësin çfarë libra duam. gënjejmë furrtarin që duam bukë për të mos vdekur urie. gënjejmë prindin që e duam me të vërtetë. gënjejmë veten për atë që e konsiderojmë të tonën. e gënjejmë gjithçka tonën çdo herë që e hapim gojën. e hapim gojën për të e kuptuar që nuk do të duhej të ishim aty. e gënjejmë çdo kënd përreth nesh që duam të jemi me ta, e gënjejmë ata që nuk do të duhej të i gënjenim, e harronim që ata ishin më gënjeshtarët. e gënjeshtrën e bëmë pjesën më të vërtetë tonën.
braktisim gjithçka tonën, e mbesim të vetmuar duke qarë, duke vazhduar së besuari në mosbesim, duke gënjyer e duke vdekur për të buzëqeshur.
22 gusht 2019